DigitAlb dhe partnerët e tij ofrojnë për qytetarët të gjitha garancitë për produktin që marrin dhe mbrojtjen nga pirateria

13

Në faqen zyrtare të kompanisë “Digitalb.al”, në seksionin “Ndihma” është afishuar lista e të gjithë partnerëve të autorizuar të Digitalb. Në këtë mënyrë, për çdo klient, kudo që ndodhet në të gjithë botën, krijohet mundësia që ai të marrë një shërbim të sigurtë dhe 100% të garantuar.

“Çdo konsumator, në momentin e blerjes së një produkti apo shërbimi duhet të kujdeset të marrë nga ofruesit e shërbimit, garancinë përkatëse për marrjen e tij në kohë dhe me cilësi. Mugesa e një kontrate apo dëshmie, që në këmbim të pagesës po merr një shërbim të ligjshëm, i ekspozon qytetarët kundrejt një rreziku si financiar ashtu dhe ligjor, pasi pa e kuptuar ndoshta, ata po kontribuojnë në një aktivitet të paligjshëm dhe të dënueshëm në bazë të ligjit Shqiptar dhe jo vetëm, si vepër penale”, tha Xhimi Tugu, shef i distribucionit të kanaleve, Digitalb.

Siguria dhe garancitë nuk jepen nga IPTV-të pirate, të cilat në çdo moment mund të ndërpresin transmetimin, duke bërë që qytetarët jo vetëm të mos marrin shërbimin, por edhe të humbin paratë e abonimit që kanë bërë.

Njëkohësisht, nga ana teknike Digitalb ka ngritur sisteme të forta kundër piraterisë televizive, duke mbyllur burimet ilegale të transmetimeve.

“DigitAlb i ka marrë masat edhe në nivel teknik për mbrojtje nga shkelësit e ligjit. Kryesisht vet, por edhe përmes partnerëve tanë në Shqipëri dhe jashtë saj, ne monitorojmë këto transmetime dhe në shumë raste i mbyllim burimet ilegale të kanaleve tona, duke e ndërprerë shërbimin pirat. Ky proces është dhe do të jetë në vëmendjen e kompanisë, duke u intensifikuar më tej”, u shpreh Xhimi Tugu.

Edhe agjencitë shtetërore po investohen kundër piraterisë televizive. Në bashkëpunim, AMA dhe AKEP po godasin rrjetet e IPTV-ve pirate.