Bashkia e Tiranës ka lançuar risitë e aplikacionit “Tirana Ime”

13

Bashkia e Tiranës ka lançuar risitë e aplikacionit “Tirana Ime”, të cilët janë një hap tjetër i suksesshëm për ta sjellë Tiranën më pranë të qenurit “SMART CITY”.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se falë matësve të rinj inteligjentë që janë vendosur në qytet, do të mund të merren të dhëna të sakta për cilësinë e ajrit në kryeqytet, të cilat më pas shfaqen në aplikacionin “Tirana Ime” dhe që do të ndihmojnë për të arritur nivelet e duhura, nëpërmjet menaxhimit më të mirë të trafikut, shtimit të korsive të biçikletave, krijimit të mikroklimave dhe gjelbërimit.

“Një nga gjërat që dua të vlerësoj jashtë mase është se kemi marrë le të themi teknologjinë më të fundit dhe nuk ka tjetër në rajon, që jo vetëm na mat të gjithë grimcat. Kjo është arsyeja pse sot planifikojmë lançimin e aplikacionit që mat ndotjen e ajrit në Tiranë në kohë reale, që çdo qytetar, ashtu siç sot ka akses te kamerat e qytetit, tek raportimet, tek trafiku, duhet të ketë akses edhe në këtë informacion. Vendimmarrja për të gjithë ne bëhet më e kollajtë nëse të vërtetën e dimë të gjithë”, tha Veliaj.

Fillimisht janë vendosur 4 aparaturat e para, të cilat do të testohen fillimisht dhe më pas do të shtohen të tjera me kalimin e kohës. Një prej tyre është vendosur në Kashar, një tjetër tek 21 dhjetori, tek rruga e Elbasanit dhe e katërta tek Sheshi Skënderbej: Këto katër vende janë zgjedhur në mënyrë të tillë që qytetarët dhe të gjithë të kenë mundësi të krahasojnë nivelin e ndotjes, shkruan Top Channel.

Krahas projektit për mbjelljen e 2 milionëve pemëve të reja deri në 2030, një tjetër nismë e Bashkisë së Tiranës për uljen nivelit të ndotjes është edhe “Dita pa makina”. Veliaj e cilësoi mëse të nevojshme që të paktën një ditë në muaj në kryeqytet të mos ketë lëvizje të automjeteve. “Çdo muaj duhet të kemi të paktën një ditë komplet pa makina, vetëm që qyteti të oksigjenohet dhe të rikuperojë gjithë ndotjen që ndodh nga trafiku dhe nga makinat në Tiranë. Propozimi fillestar që ne të kemi datën 5 maj dhe datën 1 qershor, ditën e Dëshmorëve dhe Ditën e Fëmijëve. Patjetër janë data të shënuara por janë kryesisht sebepe për të pasur një ditë totalisht pa makina të dedikuar këmbësorëve dhe të lëmë qytetin që të ventilojë”, deklaroi ai.

Që nga lançimi i aplikacionit “Tirana Ime, në shkurt 2016, ka pasur mbi 500 mijë vizita nga qytetarë të ndryshëm të cilët bëjnë raportime të ndryshme, ndërsa kanë mundësi që të marrin informacion në kohë reale për aktivitete dhe për destinacionet e itineraret turistike e historike të Tiranës.