Kur iPhone të shpëton jetën

9

Mund të kishte qenë viktima e 59 e marrëzisë së Stephen Paddock, por u shpëtua nga iPhone i saj.

Një vajzë që ndodhej në koncertin “country” të kthyer në shënjestrën e agresorit të Las Vegasit i ka treguar taksistit që e çoi në shtëpi se si telefoni kishte devijuar një plumb, që ndoshta mund t’i kishte marrë jetën. Taksisti i bëri iPhone-it një foto dhe e postoi në rrjetet sociale. Pjesa e sipërme e aparatit është shkatërruar nga plumbi, por e zonja, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, nuk ka asnjë gërvishtje.

Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet e autoriteteve për të zbardhur motivet e masakrës më të madhe me armë zjarri në historinë e vendit. Kreu i policisë së Las Vegasit tha se është me rëndësi që autoritetet të flasin me këdo që e njihte Paddock, ndërsa po përpiqen të identifikojnë ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm. Sipas sherifit Joe Lombardo, duke marrë parasysh numrin e armëve dhe eksplozivëve që autori i ngjarjes kishte në makinën e tij, vështirë të besohet se Paddock e ka kryer sulmin i vetëm.

Hetuesit kanë zbuluar së fundi se 64-vjeçari kishte rezervuar edhe të tjera dhoma me pamje nga sheshe të koncerteve. Në vëmendjen e tij mësohet të ketë qenë edhe Ilinoisi e Bostoni. Një burrë me të njëjtin emër kishte telefonuar për një dhomë në Blackstone Hotel të Çikagos në kohën kur atje zhvillohej festivali i muzikes Lollapalooza, por, sipas menaxherëve, nuk ishte paraqitur kurrë.

Në mesin e frekuentuesve të këtij festivali janë dhe vajzat e ish-Presidentit Barack Obama, Malia e Sasha.

Në një lëvizje surprizë, Shoqata Kombëtare e Armëve mbështeti një ditë më parë vendosjen e rregullave më të ashpra mbi pajisjet e jashtme që i krijojnë armëve mundësinë të qëllojnë me të njëjtin ritëm si automatiku, një hap i rrallë ky, edhe pse i vogël, nga grupimi që i kundërvihet prej vitesh kontrolleve të reja mbi armët.

Paddock kishte përdorur një mekanizëm të tillë për të shtuar fuqinë goditëse të pushkës së vet.