Estonia: superfuqia europiane e botës dixhitale

38

Estonia do të jetë i pari vend në botë, në gjendje të funksionojë edhe pa territor fizik. Teknologjia “Savvy Nation” do të krijojë ambasada dixhitale në të gjithë botën, me një “back up” për të gjitha të dhënat kritike.

Kjo ka si qëllim që ish-shteti sovjetik, të cilit shumë pak i mungon që të bëhet tërësisht një shoqëri dixhitale, të jetë më pak vulnerabël ndaj sulmeve kibernetike. Estonezët mund të votojnë, të kenë qasje te të dhënat e tyre shëndetësore dhe të paguajnë taksat “online”.

Qeveria thotë se 99 për qind e shërbimeve publike janë të qasshme në mënyrë elektronike, një pretendim ky që i ka dhënë shtetit të vogël baltik nofkën “e-stonia”.

Zyrtarët thonë tani se, e para Ambasadë dixhitale do të hapet në Luksemburg më 1 janar të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, ka edhe nga ata që mendojnë se duke hedhur kaq shumë gjëra “online”, Estonia e bën veten shumë vulnerabël ndaj sulmeve, nga vende si Rusia.

Por, sipas ekspertëve të qeverisë, natyra e decentralizuar e ruajtjes së të dhënave do të thotë që ato janë të mbrojtura nga kërcënimet kibernetike. Përveç kësaj, ekziston edhe një plan mbështetës: nga 1 janari 2018 do të hapet një koncept i quajtur “Ambasada e të dhënave” në Luksemburg, e kjo do të mundësojë që të gjitha të dhënat kritike të mund të rikuperohen në ambasada të ndryshme të dhënash, që ligjërisht janë në territor estonez.